Një aksident i rëndë rrugor ndodhi pasditen e djeshme në aksin nacional Elbasan-Peqin. Një nënë e re, 38 vjeçe me origjinë nga Korça, ndodhet në gjendje kome dhe po lufton me vdekjen në Spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e një përplasjeje të fuqishme.
Sipas të dhënave paraprake, e reja ishte duke drejtuar një automjet të tipit “Mercedes Benz E-Class”. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur në momentin kur ajo ka ndërmarrë një manovër parakalimi, por nuk ka arritur të llogarisë saktë kohën dhe shpejtësinë e nevojshme për t’u rikthyer në korsinë e saj. Si pasojë, mjeti i ka dalë përballë një kamioni të tonazhit të rëndë që vinte në drejtim të kundërt.
Goditja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, duke bërë që automjeti tip “Mercedes Benz” të shkatërrohet thuajse plotësisht në pjesën e përparme, pikërisht në anën e shoferit ku ndodhej 38-vjeçarja.
E dëmtuara është transportuar me urgjencë maksimale drejt kryeqytetit. Ajo ka pësuar dëmtime të rënda organike dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Në momentin e përplasjes katastrofike, në makinë së bashku me 38-vjeçaren udhëtonte edhe fëmija i saj i vogël. Fatmirësisht, fëmija ka arritur të shpëtojë mrekullisht nga goditja e fortë.
Grupi hetimor po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe ekspertizës teknike të rrugës.





