Skena të rënda dhune u regjistruan në zonën Padrão da Légua në Matosinhos, pranë qytetit të Portos në Portugali, ku një çiklist sulmoi një drejtuese automjeti 37-vjeçare pas një debati të ashpër në rrugë. Ngjarja u filmua dhe videoja u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa autoritetet kanë nisur kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit.

Incidenti ndodhi pasditen e së hënës, më 25 maj, në zonën e Padrão da Légua. Në pamjet e publikuara shihet çiklisti duke e kapur me forcë gruan nga fyti në një rrugë të frekuentuar dhe duke e shtyrë drejt tokës.

Më pas, burri duket teksa e tërheq nga flokët ndërsa ajo ndodhet e shtrirë në asfalt dhe e godet disa herë me grushte në kokë. Gruaja nuk arrin të reagojë, ndërsa disa kalimtarë përpiqen të ndërhyjnë për të ndalur sulmin.

Mes dëshmitarëve ishte edhe një grua e moshuar, e cila së bashku me qytetarë të tjerë tentoi të largonte agresorin nga viktima.

Sipas dëshmisë së 37-vjeçares para autoriteteve, çiklisti kishte goditur më herët tri herë automjetin e saj të ndaluar. Ajo kishte dalë nga makina për t’i kërkuar shpjegime, por debati verbal u përshkallëzua shpejt në dhunë fizike.

Kur policia mbërriti në vendngjarje, autori ishte larguar. Autoritetet besojnë se ai u largua menjëherë pas sulmit dhe vazhdon të jetë në kërkim.

Zjarrfikësit nga Leça do Balio i dhanë ndihmën e parë gruas në vendngjarje. Ajo pësoi lëndime të lehta dhe u transportua në spital për kontrolle të mëtejshme.