Institucioni i Avokatit të Popullit ka vazhduar hetimin kryesisht për ngjarjet në Zvërnec, ku u shënuan ndalime dhe dhunë ndaj qytetarëve gjatë protestës kundër projektit turistik.

Përmes një deklarate për shtyp, bëhet e ditur se drejtuesja e Zyrës Rajonale ka inspektuar nga afër gjendjen e të shoqëruarve, duke qëndruar deri në orët e vona të së shtunës në Komisariatin e Policisë Vlorë.

Gjithashtu, Avokati i Popullit ka kërkuar zyrtarisht nga policia informacion të detajuar për mënyrën si u mbikëqyr veprimtaria e policisë private në zonën ku po protestohej.

Deklarata e plotë:

“Drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit qëndroi deri në orët e vona të së shtunës në komisariatin e policisë Vlorë, ku verifikoi në vend gjendjen e protestuesve të ndaluar gjatë ngjarjeve në Zvërnec.

Kjo vizitë është pjesë e hetimit që kemi nisur kryesisht (ex officio) për dhunën ndaj qytetarëve që ushtronin të drejtën kushtetuese të protestës. Gjatë inspektimit u zhvillua edhe një takim me drejtuesit e drejtorisë vendore të policisë për të diskutuar respektimin e bazës ligjore të ndalimeve dhe trajtimin e të ndaluarve.

Avokati i Popullit ka kërkuar zyrtarisht nga policia informacion të detajuar për mënyrën si u mbikëqyr veprimtaria e policisë private në zonën ku po protestohej. Avokati i Popullit do të vijojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të informojë publikun për hapat e mëtejshëm.”, deklaroi Avokat i Popullit.