Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar këtë të hënë, 1 qershor, ndryshime në përfaqësimet diplomatike të Shqipërisë jashtë vendit, duke liruar nga detyra disa ambasadorë dhe duke emëruar diplomatë të rinj.
Kështu, Presidenti Begaj ka liruar Donika Hoxhën nga detyra e Ambasadores në Bosnjë dhe Hercegovinë (jo rezidente), ndërsa ajo vijon të mbajë detyrën e ambasadores në Republikën e Kroacisë.
Po ashtu, është liruar nga detyra Dastid Koreshi si Ambasador pranë Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në Këshillin e Evropës në Strasburg, si dhe Eglantina Gjermenin nga detyra e Ambasadores pranë Misionit të OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare në Vjenë.
“Tiranë, më 1 qershor 2026
Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, dekretoi sot lirimin e:
Znj. Donika Hoxha, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, jo rezident, vetëm nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, jo rezident.
Z. Dastid Koreshi, nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg, rezident.
Znj. Eglantina Gjermeni nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, rezident“, njoftoi Presidenca.
Kreu i Shtetit ka dekretuar edhe emërimet e reja në shërbimin diplomatik.
Spiro Koçi është emëruar Ambasador rezident në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Florian Nova është emëruar Ambasador në Republikën Arabe të Egjiptit (rezident), si dhe Ambasador jo rezident në Republikën Arabe të Sirisë, Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe Republikën e Sudanit.
Elvira Isufi është emëruar Ambasadore në Mbretërinë e Suedisë (rezidente), si dhe Ambasadore jo rezidente në Republikën e Finlandës, Republikën e Islandës dhe Mbretërinë e Norvegjisë.
Dastid Koreshi është emëruar Ambasador në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë (rezident).
Ndërkohë, Ermal Muça është emëruar Ambasador në Japoni (rezident), si dhe ambasador jo rezident në Republikën e Filipineve, Indonezi, Singapor dhe Malajzi, duke u caktuar gjithashtu edhe Ambasador jo rezident në Republikën e Koresë.
“Gjithashtu, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, dekretoi sot emërimin e:
Z. Spiro Koçi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, rezident.
Z. Florian Nova, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit, rezident, dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Sirisë, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe në Republikën e Sudanit, jo rezident.
Znj. Elvira Isufi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë, rezident, dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Finlandës, në Republikën e Islandës dhe në Mbretërinë e Norvegjisë, jo rezident.
Z. Dastid Koreshi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident.
Z. Ermal Muça, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Japoni, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Filipineve, Republikën e Indonezisë, Republikën e Singaporit dhe në Malajzi, jo rezident, u emërua edhe në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Koresë, jo rezident“, njoftoi Presidenca.





