Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me procesin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Vendimi i Kushtetueses i hap rrugë shqyrtimit të pretendimeve dhe ankesave që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor, duke i dhënë mundësi Kuvendit të ndërmarrë hetime parlamentare mbi çështjet e ngritura nga opozita.
Kërkesa ishte depozituar nga deputetë të opozitës, të cilët kanë kërkuar verifikimin e një sërë pretendimesh për parregullsi gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025. Nga ana tjetër, mazhoranca ka kundërshtuar më herët ngritjen e komisionit, duke argumentuar se mungojnë elementët e nevojshëm për një hetim parlamentar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të sjellë zhvillime të reja politike në Kuvend, ndërsa palët kanë paralajmëruar se do të vijojnë përplasjen institucionale mbi legjitimitetin dhe administrimin e procesit zgjedhor.





