Papunësia në Bashkimin Europian vijon të mbetet pranë niveleve më të ulëta historike, ndërsa tregu i punës po shfaq qëndrueshmëri pavarësisht ngadalësimit ekonomik në disa vende anëtare. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se norma e papunësisë në BE ishte 6%, ndërsa në Eurozonë 6.2%.

Sipas vlerësimeve të Eurostat, rreth 13.2 milionë persona në Bashkimin Europian rezultojnë të papunë, ndërsa afro 11 milionë prej tyre jetojnë në vendet e Eurozonës. Krahasuar me një vit më parë, tregu europian i punës ka mbetur relativisht i qëndrrueshëm, me luhatje të vogla në normat e papunësisë.

Megjithatë, situata mbetet më problematike për të rinjtë. Në BE, papunësia për grupmoshën nën 25 vjeç arriti në 15.4%, ndërsa në Eurozonë 14.9%. Eurostat vlerëson se afro 3 milionë të rinj europianë janë aktualisht pa punë.

Vendet me normat më të ulëta të papunësisë janë Çekia me 3.1%, Bullgaria me 3.2% dhe Polonia me 3.3%. Në krahun tjetër, nivelet më të larta janë regjistruar në Finlandë me 10.4% dhe Spanjë me 10.3%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se papunësia mbetet më e lartë tek gratë. Në nivelin e Bashkimit Europian norma e papunësisë për gratë ishte 6.2%, ndërsa për burrat 5.7%. Në Eurozonë, diferenca është edhe më e dukshme, me 6.5% për gratë dhe 6% për burrat.

Ndërkohë në Shqipëri, edhe pse papunësia e përgjithshme ka rënë në rreth 8.3%, sfidat mbeten më të mëdha për të rinjtë. Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia e të rinjve arriti në 15.1% në fund të vitit 2025. Edhe pse numri i të rinjve në Shqipëri është tkurrur me rreth 40% gjatë periudhës 2019-2025, kryesisht si pasojë e emigracionit dhe rënies së lindjeve, tregu i punës vijon të mos ofrojë mundësi të mjaftueshme punësimi për këtë grupmoshë.