Pasi mbylli eksperiencën dyvjeçare në Napoli me një titull kampion dhe një Superkupë të Italisë të fituar, Antonio Conte tani po shikon opsionet për të bërë zgjedhjen e tij. Emri i tij është lidhur me atë të Kombëtares Italiane për një kthim të bujshëm pas eksperiencës në periudhën 2014-2016, por deri sa të zgjidhet presidenti i ri i FIGC nuk mund të ketë bisedime dhe akorde. Kjo edhe sepse është për t’u mposhtur konkurrenca e Roberto Mancinit.

Për këtë arsye trajneri puljez po sheh rrotull duke qenë se ka marrë kërkesa duke nisur nga Turqia. Këtu është Fenerbahçe që është në një fazë të re teksa po përgatitet për zgjedhjet për president të klubit ku një prej kandidatëve është Hakan Safi  që ka paraqitur një program ambicioz; Paolo Maldini në rolin e konsulentit dhe pikërisht Conten për stolin. Oferta është me të vërtetë marramendëse; një pagë prej 15 milionë eurosh në sezon për trajnerin.

Edhe pak ditë dhe do të mësojmë më shumë duke qenë se zgjedhjet e Fenerbahçes do të mbahen në funjavë. Nëse Safi do të fitojë, do të kalojë nga fjalët në vepra. Por paratë turke nuk janë të vetmet që tundojnë Conten. Nga Arabia Saudite në fakt i kanë ardhur dy oferta, të dyja me pagë prej 25 milionë euro në sezon, e njëjta pagë që përfiton edhe Simone Inzaghi te Al Hilal. Dhe në muajin dhjetor, me rastin e Superkupës së Italisë të zhvilluar në Riad, vetë Conte la të hapur mundësinë për një transferim të mundshëm në Saudi Pro League.