Një qytetar i veshur me qeleshe dhe fustanellë tërhoqi vëmendjen në protestën e zhvilluar këtë të martë para Kryeministrisë kundër projektit të resortit turistik në Zvërnec.

Mes mijëra protestuesve, aktivistëve dhe mbrojtësve të mjedisit, ai u veçua për paraqitjen me veshje tradicionale shqiptare, ndërsa qëndroi përkrah pjesëmarrësve që kundërshtojnë investimin në zonën e mbrojtur.

Tubimi u shoqërua me pankarta dhe thirrje kundër projektit, ndërsa protestuesit kërkuan sërish anulimin e tij. Në shesh nuk munguan as mesazhet politike.

Pas thirrjes së kryeministrit për dialog, nga turma u dëgjua slogani: “Pa dorëheqje, s’ka dialog!”, duke shprehur qëndrimin e protestuesve ndaj ftesës së bërë nga kreu i qeverisë.

Protesta vijoi për disa orë para godinës së Kryeministrisë, nën masa të zakonshme sigurie.