Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të martë në aksin Laç-Patok ku për pasojë ka humbur jetën një 37-vjeçar. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 ku një makinë e drejtuar nga një 33-vjeçare përplasi motorin e viktimës.
37-vjeçari mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Viktima është identifikuar si Lorenc Treshi. Policia ka arrestuar shoferen e cila është identifikuar si Anila Sinaj.
“Lezhë/ Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasen A. S., 33 vjeçe, banuese në fshatin Grëz, Fushë-Kuqe, Kurbin, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një personi.
Rreth orës 13:00, të datës 02.06.2026, në aksin rrugor Laç–Patok, automjeti që drejtonte 33-vjeçarja është përplasur me një ciklomotor, me drejtues shtetasin L. T., 37 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, Kurbin.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi L. T. u dëmtua rëndë dhe u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë, ku, rreth orës 18:40, ka humbur jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.





