Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj zhvilloi një takim me maturantë në Shkollën Teknike Ekonomike, ku u diskutua mbi Programin e Vetëpunësimit dhe mbështetjen që ai ofron për të rinjtë që duan të nisin aktivitetin e tyre ekonomik.

Ministrja theksoi rëndësinë e këtij programi si një instrument që synon të ndihmojë të rinjtë të kthejnë idetë e tyre në biznese konkrete dhe të hedhin hapat e parë në sipërmarrje.

“Ftoj çdo të ri me një ide, aftësi apo projekt konkret të aplikojë në Programin e Vetëpunësimit, pasi thirrja mbetet e hapur deri më 4 qershor”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas saj, gjatë vitit të kaluar qindra të rinj kanë aplikuar dhe përfituar nga ky program, ndërsa interesi për të vijon të rritet edhe këtë vit.

“Programi i Vetëpunësimit mbështet financiarisht qytetarët që duan të kthejnë një ide në biznes dhe të hedhin hapat e parë në sipërmarrje. Vetëm gjatë vitit të kaluar qindra të rinj aplikuan dhe përfituan nga ky program, ndërsa këtë vit interesi është edhe më i lartë”, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj shtoi se qeveria do të vijojë të mbështesë të rinjtë që zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, duke kthyer idetë në biznese dhe talentin në histori suksesi.