Efektivi i plagosur këtë të enjte në Maliq gjatë një operacioni për kapjen e një shumëkërkuari ka mbërritur në spitalin e Traumës në kryeqytet me helikopter.

Kreu i Policisë së Shtetit Skënder Hita doli në një prononcim për mediat nga ambientet e spitalit të Traumës ku u shpreh se kjo është një “Ngjarje që të lë pa fjalë, s’do doja sot të isha para jush”.

Drejtoresha e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode si drejtor i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, dhanë më shumë detaje mbi gjendjen shëndetësore të efektivit Edison Adri.

“Po bëhet maksimumi për të marrë rezultatin maksimal për shëndetin e pacientit”, tha Bode, e cila sqaroi se efektivi kishte marrë lëndime në pjesën e qafës dhe të kokës.

“Gjithmonë një traumë e këtyre përmasave është jetëkërcënuese, por se si… është ende herët për ta thënë.”, shtoi Bode.

Brataj nga ana tjetër tha se “dëmtimet janë të gjitha kërcënuese”, por falënderoi ekipin e mjekëve të Korçës për ndërhyrjet e tyre dhe sipas tij “për momentin nuk flitet rrezik jete.”

“Të gjitha parametrat janë në normë. Është stabël, sapo u fut në sallë ku ekipi multidisiplinar po bën vlerësimet”, theksoi kreu i Urgjencës Kombëtare.

Ndërsa sa i takon 43-vjeçarit që plagosi efektivin Adri dhe i mori jetën kolegut të tij Enea Mekollit, pas mjekimit nga mjekët e Korçës është stabilizuar dhe është nisur me autoambulancë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.