Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 7 vite e 4 muaj burg shtetasin Erio Zejno, i akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.
Sipas vendimit të shpallur këtë të enjte, Zejno u gjet fajtor për veprat penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” si dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.
Fillimisht, Gjykata e dënoi me 11 vite burg në total, por për shkak se procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Si rrjedhojë, dënimi përfundimtar u caktua 7 vite e 4 muaj burg.
Sipas dosjes së SPAK, Zejno akuzohej se kishte siguruar kushte dhe mjete për kryerjen e një atentati ndaj dy personave, E.M. dhe I.H.





