Efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë operacionit policor të djeshëm në fshatin Bode ne Maliq, do të përcillet sot në banesën e fundit.
Prej orës 10:00 kanë nisur homazhet në Pallatin e Kulturës në Pogradec. Ceremonia përcjelljes së “Dëshmorit të Atdheut” në banesën e fundit do të kryhet në orën 14:00.
Megjithëse statusi i “Dëshmorit të Atdheut” parashikon prehjen në Varrezat e Dëshmorëve, familja ka kërkuar që ceremonia e varrimit të zhvillohet në vendlindjen e tij.
Sipas familjarëve, kjo kërkesë lidhet me faktin se ata kanë humbur më herët edhe një djalë tjetër nga një sëmundje e rëndë, gjithashtu efektiv policie. Dëshira e familjes është që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit.





