Këtë të premte zhvillohet seanca e parë për çështjen ndaj ish-presidentit të Republikës Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Siç vihet re nga pamjet brenda sallës së gjyqit që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Meta përsëri është ulur brenda kafazit prej xhami, pavarësisht kërkesave të avokatëve të tij që kjo të mos ndodhë më.

Seanca e sotme po drejtohet nga gjyqtari Erjon Bani. Ky i fundit refuzoi kërkesën e gazetarëve dhe palëve në proces për transmetimin live të seancës.

Sipas tij, prania e kamerës nuk parashikohet në legjislacion dhe “proceset gjyqësore nuk mund të shndërrohen në spektakle apo në show mediatik”, por procesi duhet të jetë i qetë dhe i garantuar. Prania e kamerës sipas gjyqtarit ndikon në cilësinë e gjykimit dhe shqyrtimit gjyqësor.

Kërkesa e transmetimit live u rrëzua po ashtu edhe regjistrimi, megjithatë u lejuan përfaqësuesit mediatikë të dëgjojnë seancën.

Pas largimit të kamerave dhe ndërprerjes së transmetimit live, seanca vijoi sipas agjendës. Fjalën e mori ish-presidenti Meta, i cili iu përgjigj pyetjeve standarde të çdo seance.

Në Tiranë banoj për momentin. Jam banues tek 313-ta. Gjendja civile jam beqar, dmth i divorcuar”, u shpreh ai.