Kontrrolli mjeksor bazë apo siç njihet ndryshe check-up ende nuk ka nisur të ofrohet për personat mbi 70 vjeç. Programi i qeverisë ka parashikuar që kufizimi moshor për pensionistët do të hiqej, por ai ende nuk është jetëzuar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale tha për Euronews Albania se po punohet që kontrrolli mjeksor bazë të mund të ofrohet falas për të gjithë personat mbi 35 vjec ndërsa shtoi se gjatë vitit 2025 ai është kryer nga 455,849 qytetarë të moshës 35-70 vjec.
“Aktualisht, shërbimi i kontrollit mjekësor bazë (check-up) ofrohet për grupmoshat 35–70 vjeç, në përputhje me fashën e përcaktuar për përfitimin e këtij shërbimi. Politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale (MSHMS), në drejtim të programeve të parandalimit të sëmundjeve jo të transmetueshme, janë në proces të heqjes së kufirit maksimal të moshës për programin e Check-Up-it. Në këtë kuadër, programi pritet të funksionojë për të gjithë personat mbi moshën 35 vjeç”, thekson Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.
Mbulimi Universal Shëndetësor konsiderohet nga ministria politikë kyçe e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, ku specifikohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të barabarta për të gjithë popullsinë. Sa i takon kontrrollit mjekësor bazë ekspertët cilësojnë se ai është program depistues që i ofrohet popullatës së shëndoshë me qëllim identifikimin e parakohshëm të sëmundjeve jo të ransmetueshme.
Në Shqipëri numërohen afro 252 mijë të moshuar mbi 70 vjeç dhe heqja e kufizimit të moshës për check up ka qenë një sugjerim i vazhdueshëm edhe i ekspertëve të shëndetësisë. Sipas tyre, kjo është e rëndësishme, pasi kjo kategori ka probleme të shumta shëndetësore, një ndër to është demenca e cila prek 1 në 8 persona mbi 70 vjec dhe rreth 50% e tyre nuk e kanë zbuluar në kohë sëmundjen.





