Protesta në ditën e shtatë mblodhi mijëra qytetarë shqiptarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë.

Protesta nisi me himnin kombëtar dhe më pas një nga qytetaret që hapi këtë tubim antiqeveritar, tha se sot ishin mbledhur më shumë dhe më shumë të tjerë do të jenë në vijim.

Ajo i ktheu përgjigje edhe atyre që pyesnin se kush ishin organizatorët, duke vënë në dukje se shkak ishte korrupsioni dhe keqqeverisja e atyre që pyesnin, qeverisë së sotme dhe të djeshme.

“Jemi më shumë, jemi më shumë këtu, edhe në Korçë, edhe në Durrës, edhe në Vlorë, në të gjithë Shqipërinë”, tha ajo.

Më tej drejtoi një kërkesë publike edhe ndaj drejtësisë për burgosjen e dy liderëve politikë si shkaktar për Zvërnecin dhe skandalet e tjera.

“Kemi një kërkesë, që ta marrin parasysh edhe drejtësia, Rama në burg, Berisha në burg”, vijoi ajo.

Më tej kujtoi për ata që duan ta përçajnë protestën:

“Për ata që thonë se kush na solli këtu dhe kush janë organizatorët jua kemi thënë dhe e themi edhe sot, “ju na sollët këtu me ato që bëtë, me korrupsionin tuaj dhe me keqqeverisjen tuaj”.

protest kryeministria2

Në fund i bëri thirrje qytetarëve në çdo rreth e lagje që të ngriheshin.

“Thirrje edhe për ata që nuk janë banorë të Tiranës, protestoni në çdo lagje e qytet”, përfundoi ajo.

protesta masive sot

Të pranishëm në protestë edhe banorët e Rrjollit, që mbështesin kërkesat e qytetarëve dhe kërkojnë drejtësi për pronat.