Këtë të martë më 9 qershor, maturantët do i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Procesi, siç ka njoftuar Ministria e Arsimit, do zhvillohet në 144 qendra.

Në dispozicion janë 2087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve.

Maturantët duhet të respektojnë disa rregulla strikte: paraqitja në shkollë në orën 08:30, pajisja me kartën e identitetit, veshje e rregullt apo uniforma e shkollës. Po ashtu, nuk lejohet telefoni celular dhe ora smart.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro bëri apel më herët që edhe ky provim të zhvillohet me të njëjtat standarde si provimi i Gjuhës së Huaj.

“Kemi nisur dhe po kryejmë një fushatë sensibilizimi për Maturantët, për çfarë nuk lejohet gjatë provimit, ku patjetër celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje e këtij lloji është rreptësisht e ndaluar. Dhe çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi.  Pra është një kosto që unë uroj të mos e marrë përsipër asnjë maturant, që të hedhë poshtë vitet e shkollimit vetëm për një gabim të tillë të pafalshëm”, theksoi ministrja.

Më 16 qershor maturantët do të zhvillojnë provimin e Matematikës dhe më 23 qershor provimin me zgjedhje.