Një parti e re e djathtë ekstreme, e themeluar nga ish-gjenerali Roberto Vannacci, po kthehet në një sfidë politike për kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Partia “Futuro Nazionale” është krijuar vetëm pak muaj pas largimit të Vannacci nga partia Liga, pjesë e koalicionit qeverisës. Sipas tij, lëvizja e re ka afërsisht 100 mijë anëtarë dhe në sondazhe arrin rreth 4% të mbështetjes, me tendencë në rritje.

Edhe pse përqindja duket e vogël, ajo mund të jetë vendimtare në zgjedhjet e ardhshme, të cilat pritet të jenë të ngushta. Kjo e vendos Melonin përballë një dileme: të bashkëpunojë me këtë forcë të re apo ta mbajë në distancë, duke rrezikuar humbjen e votave në krahun e djathtë.

Vannacci e përshkruan partinë e tij si nacionaliste, të vendosur dhe pa kompromis, duke akuzuar qeverinë aktuale se ka zbutur qëndrimet.

“Ne përfaqësojmë një të djathtë që nuk tërhiqet dhe nuk ka frikë”, është shprehur ai.

Partia e tij ka qëndrime kundër Bashkimit Europian dhe shfaq simpati ndaj Rusisë, ndërsa kritikon qeverinë për menaxhimin e emigracionit, marrëdhëniet me Brukselin dhe luftën kundër krimit.

Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se rritja e kësaj force mund të shtyjë partitë e djathta në Itali drejt qëndrimeve më ekstreme.

Partia e re ka nisur gjithashtu të tërheqë mbështetës nga radhët e koalicionit qeverisës, duke rritur presionin mbi Melonin.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo lëvizje do të konsolidohet si forcë politike apo do të mbetet një fenomen i përkohshëm i lidhur me figurën e themeluesit të saj.