Policia e Shtetit zbuloi këtë të martë mbi 7 mijë bimë të dyshuara narkotike në fshatin Reç i Ri, në njësinë administrative Velipojë. Për këtë operacion ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili është shprehur se lufta kundër narkotikëve është prioritet i punës së qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sakaq, ai është shprehur se nuk do të ketë asnjë tolerancë përsa u përket këtyre çështjeve.
“Përgëzime Policia e Shtetit për evidentimin e 7446 bimë të dyshuara Cannabis Sativa në territorin e Njësisë Administrative Velipojë, Shkodër.
Vlerësoj reagimin e shpejtë me masa administrative dhe disiplinore ndaj punonjësve të policisë për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për mosushtrim të plotë të përgjegjësive funksionale në kontrollin dhe monitorimin e territorit. Çdo përgjegjësi individuale do të vlerësohet në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Kam kërkuar që në çdo rast të tillë të garantohet koordinim i plotë dhe i menjëhershëm ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në mënyrë që verifikimi i fakteve, hetimi administrativ dhe llogaridhënia institucionale dhe ligjore të zhvillohen me profesionalizëm, efektivitet dhe zero kompromis.
Ky është standardi i kërkuar nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit: përgjegjësi, integritet dhe reagim i shpejtë ndaj çdo shkeljeje të ligjit apo detyrës.
Njëkohësisht, dëshiroj të falënderoj qytetarët që bashkëpunojnë me institucionet ligjzbatuese dhe të inkurajoj çdo qytetar të denoncojë çdo aktivitet të paligjshëm. Informacioni i tyre mbetet një element i rëndësishëm për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, si dhe për rritjen e efektivitetit të punës së Policisë së Shtetit dhe sigurisë së përbashkët.
Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe çdo forme tjetër të paligjshmërisë mbetet një prioritet i pandryshueshëm i qeverisë dhe Ministria e Brendshme. Rezultatet kërkojnë angazhim të përditshëm, kontroll me përgjegjësi të territorit dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetin.
Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia kur dështon të përmbushë detyrën që i është besuar”, është shprehur ai.





