Qeveria ka miratuar sot, 10 qershor, një shpërblim financiar për familjen e efektivit të rënë në detyrë, Enea Mekolli dhe kolegut të tij Edison Adri, i cili mbeti i plagosur, nga ngjarja e ndodhur në Lozhan në Maliqit më 4 qershor.
Krahas shpërblimit, përkatësisht 5 milionë lekë për familjen Mekolli dhe 3 milionë lekë për familjen Adri, fëmija e efektivit të vrarë, do të përfitojë trajtim tjetër financiar të përmuajshëm derisa të shkojë në moshë madhore, sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili ndër të tjera thotë se se sakrifica e tyre në përballjen me krimin nuk do të harrohet.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimet për mbështetjen financiare të familjeve të dy efektivëve; Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli dhe Edison Adrit, i cili mbeti i plagosur në përballjen me krimin. Përkatësisht do të akordohen 5 dhe 3 milionë lekë të reja për familjet e tyre.
Asnjë ndihmë nuk mund të zbusë dhimbjen për ngjarjen e rëndë, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre, me respekt, mirënjohje dhe mbështetje konkrete. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet.
Krahas vendimit të sotëm, Ministria e Punëve të Brendshme po ndjek të gjitha procedurat ligjore për trajtimin e familjes së Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”, tha Lamallari.
Enea Mekolli 34 vjeç ndërroi jetë në një stan në Lozhan të Maliqit gjatë një operacioni policor pasi u qëllua me kallashnikov nga Violand Braçellari, i shumëkërkuari nga drejtësia. Po aty, mbeti i plagosur kolegu i tij Edison Adri 36 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës ku po merr ndihmë mjekësore.





