Shkencëtarët amerikanë kanë njoftuar se fenomeni klimatik “El Niño” ka nisur zyrtarisht, duke paralajmëruar se bota mund të përballet me temperatura rekord dhe ngjarje ekstreme të motit në vitet e ardhshme.
Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), kushtet e El Niño janë tashmë të pranishme në Oqeanin Paqësor tropikal, ku temperaturat e sipërfaqes së detit janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Ekspertët besojnë se kjo ngjarje mund të shndërrohet në një “super El Niño”, duke u renditur ndër më të fuqishmet e regjistruara ndonjëherë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se, e kombinuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, “El Niño” mund ta shtyjë temperaturën mesatare të planetit në nivele rekord, me ndikimet më të forta që pritet të ndihen gjatë vitit 2027. Kjo mund të sjellë thatësira, përmbytje, valë të nxehti dhe pasoja të rëndësishme për prodhimin ushqimor dhe ekonominë globale.
NOAA bëri të ditur se temperaturat e sipërfaqes në Paqësorin qendror dhe lindor kanë kaluar pragun prej 0.5 gradë Celsius mbi mesataren, niveli që përdoret për të shpallur zyrtarisht një episod “El Niño”. Gjithashtu, ndryshimet e vërejtura në erërat mbi Paqësorin ekuatorial tregojnë se atmosfera ka filluar t’i përgjigjet ngrohjes së oqeanit, duke konfirmuar forcimin e fenomenit klimatik.
“El Nino” pritet të sjellë përmbytje në Perunë veriore dhe Ekuadorin jugor, dhe mund të arrijnë në pjesë të Afrikës Lindore, Azisë Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara jugore.
Në të njëjtën kohë, rreziku i thatësirës dhe zjarreve në pyje rritet në pjesën më të madhe të Australisë, Indonezisë dhe Amerikës së Jugut veriore, duke goditur bujqësinë dhe rezervat globale ushqimore.
Ndërsa sa u përket uraganeve në Atlantikut, parashikuesit presin një sezon më të qetë se mesatarja.





