Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar pas vendimit të deputetes Marjana Koçekut për tu larguar nga grupi i Partisë Socialiste. Me anë të një postimi në Facebook, Ndreu thekson se heqja dorë nga mandati do të ishte një akt që do ta fisnikëronte Koçekun, duke e cilësuar edhe si mike të tij. Në reagimin e tij, Ndreu theksoi se kjo nuk është dramë për Partinë Socialiste, por është shkelje besimi. 

Reagimi i Pjerin Ndreut:

Malësorët, e as neomalësorët, nuk kanë shitur e as blerë as abuzuar kurrë atë që u është dhënë me mirëbesim dhe respekt. Kushdo, në kushte e rrethana të tjera, mund të ndryshojë mendim apo ide, mund të mos e gjejë më veten ose të mos përputhet me një forcë politike. Kjo është krejt normale. Por nderi i caktimit në krye të listës politike të qarkut më të madh në veri, pa asnjë kontribut politik të mëparshëm, moralisht nuk duhet të keqpërdoret. Heqja dorë nga mandati i marrë në sajë të votës së mijëra socialistëve shkodranë do të ishte një akt që do ta fisnikëronte miken time, Marjana Koçeku. Kjo nuk është dramë për PS-në, por është shkelje besimi, për sa kohë që keqpërdoret mandati i dhënë politikisht nga PS. Përtej ekzaltimeve të disave që besojnë se u shemb bota, duhet të mbizotërojë morali i malësorit, aty ku ha bukë, mos përmbys kupë.