Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e Valter Lleshit në fshatin Shkorret, të Mirditës. Lleshi u qëllua me breshëri plumbash automatiku, ndërsa në vendngjarje u gjetën 18 gëzhoja. Viktima ishte punonjës i kompanisë së bazaltit në Spaç, ku mars të këtij viti, kësaj kompanie i ishte vendosur një sasi tritoli në një prej makinerive, e cila nuk kishte shpërthyer.
Sipas hetimeve të kryera deri më tani, 45-vjeçari kishte dalë nga banesa e tij në Rrëshen rreth orës 06:00 dhe së bashku me një koleg pune, për të shkuar drejt vendit ku ata punonin. Pas kësaj, kolegu i tij është ndalur afër një lokali, ndërsa viktima ka vijuar rrugën i vetëm. Dyshohet se lëvizjet e tij janë ndjekur që nga momenti kur ai ka dalë nga banesa, ndërsa autorët i kanë zënë pritë në një kthesë.
Ai është qëlluar nga një distancë e afërt dhe ka marrë plagë të shumta në kokë dhe fytyrë. Grupi hetimor po ushtron kontrolle në zonën ku ndodhi krimi dhe po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në biznese, në mënyrë që të ndihmojnë më shumë në gjetjen apo identifikimin e autorëve. Ai njihej për lidhjet miqësore me fisin Reçi. Nga ana tjetër, po hetohet edhe lidhja e tij me vrasjen e Anton Kelit, gjë e cila ka ngritur edhe një pistë të re hetimesh e cila fokusohet tek çështja e hakmarrjes. Kjo pasi Lleshi ishte i implikuar në eliminimin e Anton Kelit në vitin 2020, për shkak të prishjes me pazaret e drogës.





