Parlamenti Europian ka miratuar në seancën e sotme rezolutën mbi raportin e Shqipërisë për vitin 2025. 483 deputetë votuan pro, në një votim që konsiderohet si një sinjal politik mbështetjeje për ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit.
Raporti, i hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, ishte diskutuar më parë në Komisionin për Punët e Jashtme dhe kishte marrë më herët 58 vota pro, 7 kundër dhe po aq abstenime në atë nivel.
Në debat, raportuesi Andreas Schieder dhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe theksuan se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 konsiderohet i arritshëm, nëse vijon ritmi aktual i reformave.
Përpara votimit të raportit final, eurodeputetët votuan një seri amendamentesh të propozuara nga grupe të ndryshme politike, disa prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit në Shqipëri, përfshirë protestat kundër projektit turistik në zonën e Vjosë-Nartës dhe Sazanit.





