Dopieta e Erling Haaland në Botëror nuk ka dridhur vetëm mbrojtjen e Irakut, por edhe tokën norvegjeze. Gjatë fitores 4-1 të Norvegjisë, stacionet sizmike të Bergen kanë regjistruar lëkundje të lehta që kanë koinciduar me golat e sulmuesit të Manchester City.“Gjatë natës stacioni sizmik i Bergen ka regjistruar sinjale të qarta kur luhej ndeshja mes Norvegjisë dhe Irakut. Lëkundjet më të forta koincidojnë me golat e Erling Haaland, që kanë provokuar reagime të forta ekzaltimi mes tifozëve norvegjezë”, -ka bërë me dije Universiteti i Bergen, që administron sistemin e monitorimit.
Të dhënat tregojnë se piku i lëkundjeve korrespondon me momentet kyçe të ndeshjes, veçanërisht me golat e Haaland. Sipas ekspertëve, këto sinjale janë shkaktuar nga reagimi i publikut. “Sinjalet janë shkaktuar me shumë mundësi nga ulërimat dhe festimet e tifozëve që ndiqnin ndeshjen në Bergen”, – shpjegojnë ekspertët. Ata theksojnë se “kur shumë njerëz reagojnë njëkohësisht në evente të mëdha sportive, lëvizjet e kombinuara mund të gjenerojnë dridhje toke që kapen nga sizmometri”.Fenomeni nuk është i ri: dridhje të tilla janë regjistruar edhe gjatë koncerteve të mëdha, si në rastin e atij të Ed Sheeran në Oslo, ku dhjetëra mijëra njerëz shkaktuan dridhje të tokës. Në rastin e Norvegjisë nuk pati tërmet të vërtetë, por shumë entuziazëm, sa për të regjistruar një “shkundje” që koincidoi me golat e Haaland.





