Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari i është bashkuar reagimit të kryeministrit Rama lidhur me shqiptarët e Maqedonisë e Kosovës për të cilët tha se s’janë “diasporë.”

Lamallari shkruan në rrjetet sociale se makinat me targat e Kosovës e Maqedonisë, plis, xhamadan e flamur kombëtar i ngjajnë një skenari filmash. Ai u kujton se ishte kryeministri Rama ai që kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës në Beograd. Ministri thotë se janë të mirëpritur, por ta kursejnë “refrenin e emigrantit të dobët.”

“Me targa KS dhe MK, futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar!

Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues.

Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.

Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vëllai-vëllain.

Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.

P.S: Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkruan ministri.