Ish-ministri Ylli Pango ka dhënë dëshminë e tij lidhur me çështjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, duke deklaruar se nuk mban mend shumë prej detajeve që lidhen me administrimin dhe statusin e pronave në atë periudhë.

Gjatë dëshmisë së tij, Pango ka deklaruar se ka pasur në varësi disa institucione, mes tyre qendra të trashëgimisë kulturore dhe struktura sportive, por ka theksuar se nuk kujton procedura konkrete lidhur me administrimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Pango kujtoi se në mbledhjet e para të qeverisë ishte kërkuar që të përshpejtohej procesi i privatizimeve, ndërsa në varësi të ministrisë së tij ndodheshin disa institucione dhe objekte, përfshirë qendrën e derdhjes së monumenteve të kulturës, një qendër të arteve dhe kompleksin shumë-sportësh.

Pjesë nga dëshmia e Ylli Pangos:

Unë nuk do flas me rezerva, por unë do flas sa mbaj mend. Unë kam mbuluar 4 sektorë. Mund të mbaj mend një ligj që kam iniciuar vetë. Këtu do të ketë gjë: Thuhet që një pjesë e mirë e “Partizanit” ka qenë e zaptuar ato kohë.

Në një nga mbledhjet e para të qeverisë, u kërkua të ecej me privatizimet.

Mua më rezultoi të kisha në varësi qendrën e derdhjes së monumenteve të kulturës, një qendër të arteve, si edhe kompleksin shumë sportësh.

Ajo pjesë që duhet të merrej nga ministria duhet të kishte një dokumentacion.

Që nga qeveria Nano është dhënë urdhri që të merrej nën administrim nga Ministria.

Unë jam rritur në atë lagje që fëmijë. Di që edhe pishina aty nuk funksiononte, për shkak se kishte një “pushtim”. Ju thashë që kjo është një memorie e ngjizur, nga çfarë mbaj mend, por edhe dokumente që kam lexuar më vonë, të publikuara në media.

Për të marrë në administrim këto objekte nga ministria nuk më kujtohet.

Edhe sa i takon faktit nëse ka pasur ose jo aktivitet klubi shumë sportësh “Partizani”, nuk më kujtohet.

Nuk e mbaj mend nëse ka qenë e regjistruar ndonjë shoqatë. Nuk kujtoj që po sulmohej apo përvetësohej ndonjë terren sportiv. Me sportin nuk kam pasur probleme.

Më shumë në fokus kam pasur turizmin dhe trashëgiminë kulturore.

Shtetasin Afrim Tola e kam dëgjuar si emër së fundmi. Nëse e shoh si fytyrë, mbase e kujtoj.

Ish-drejtoresha e sporteve, Violeta Shqevi më ka vënë në dukje se kishte kërkuar vijimin e një procedure për regjistrim, për shkak se një pjesë e territorit ishte rrethuar dhe disa prona ishin zaptuar. Më kujtohet se ma kanë përmendur oficerët në SPAK kur më kanë pyetur.

Violeta nuk e njihte mirë këtë problem nga ana juridike.

Nuk më kujtohet nëse kam bërë gjë 18 vjet më parë për shkak të asaj shkrese.

Nuk e di sipërfaqen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Logjika që po kërkoj unë është që një ministër që mbulonte 4 sektorë nuk mund të kujtojë detaje të tilla.