Një incident është regjistruar në fshatin Panaja të Vlorës, ku një 36-vjeçar i identifikuar si E. Alliraj, dyshohet se i ka vënë flakën një automjeti dhe më pas ka qëlluar me çifte në ajër.

Sipas informacioneve paraprake, situata është përshkallëzuar pasi 36-vjeçari, i dyshuar se ishte në gjendje të dehur, është konfliktuar verbalisht me drejtuesin e një firme private që po kryente punimet për asfaltimin e rrugës së fshatit Panaja. Fillimisht, ai ka thyer pasqyrën dhe xhamat e një kamionçine që përdorej për punimet, ndërsa më pas i ka vënë flakën mjetit.

Pas incidentit, 36-vjeçari ka marrë një armë gjahu dhe ka qëlluar në ajër, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë së Vlorës kanë ndërhyrë në vendngjarje, duke bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe shoqërimin e autorit të dyshuar në komisariat.