Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se është, duke e mbështetur si subjekt politik protestën që po mbahet në Shqipëri për të 23-tën ditë me radhë. Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, deklaroi se partia nuk ka asnjë rol organizativ apo politik në këto protesta.
Ai ka theksuar se mbështetja për to vjen vetëm në mënyrë individuale nga disa aktivistë apo eksponentë të saj, në formë solidarizimi me kërkesat e qytetarëve. Dugolli i bëri thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të mos përfshijë Vetëvendosjen në deklaratat e tij lidhur me protestat, duke shtuar se fokusi duhet të jetë te qytetarët që protestojnë.
Sipas Dugollit, protestat në Tiranë dhe qytete të tjera, si dhe pjesëmarrja e mërgatës, janë shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj situatës politike dhe nuk lidhen me organizim nga ndonjë subjekt politik nga Kosova.
“Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me këtë protestë. Disa aktivistë apo individë solidarizohen me kërkesat e qytetarëve, por nuk bëhet fjalë për rol të subjektit politik. Gjuha e përdorur nga Rama nuk i bën nder. Ai duhet të komunikojë me qytetarët e revoltuar dhe të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, jo të merret me Vetëvendosjen”, u shpreh ai.
Në një postim, Rama përmendi edhe anëtarë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar disa prej tyre si të përfshirë në atë që ai e quajti “çorbë dreqërish”. Megjithatë, ai bëri një ndarje mes tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai i ka kritikuar ashpër të gjithë pjesëmarrësit në protestë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, meqë, sipas tij, ata nuk janë diasporë e Shqipërisë.
“Nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës Albin Kurtin për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish”, shkroi Rama.





