Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj ka ngritur alarmin mbi disa shqetësime që përballen sot bizneset. Mullaj thekson faktin se bizneset kanë evidentuar si probleme shqetësuese klimën e polarizuar politike në vend, korrupsionin dhe mungesën e infrastrukturës. Ai thekson ndër të tjera se flitet për një përkeqësim sistematik sa i takon marrëdhënies së biznesit me politikat e institucioneve.
“Shqetësime kryesore janë monopoli, korrupsion dhe konkurrenca e padrejtë. Këto parametra kanë rënie, përveç gjetjes së stafit të kualifikuar. Pavarësisht se ka nivel në rritje, është shumë larg 50%. Flitet për një përkeqësim sistematik sa i takon marrëdhënies së biznesit me politikat e institucioneve. Kush është rënia më e madhe kundrejt vitit 2024? Janë 3 prej tyre që përbëjnë thelbin e rëndësishëm; klima e brendshme politike, infrastruktura dhe perceptimi i korrupsionit. Këto pika shënojnë dhe rezultatin më të lartë. Po ashtu ka rënë dhe klima e biznesit, vlera mbetet nën minimumet historike. Kjo përbën një alarm për të gjithë ne, sidomos për biznesin. Është rrit niveli i korrupsionit, i cili kthehet në krye të agjendës së reformave, që kërkohet nga bizneset,” tha ai.





