Situata e krijuar 3 javët e fundit në Shqipëri, pas protestave masive në Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ka tërhequr vëmendjen e mediave më pretigjioze botërore.
Në një kohë që vendi ynë është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike në Evropë dhe projektet e qeverisë për të lejuar të huajt, por edhe investitorët strategjikë për të ndërtuar resorte dhe komplekse turistike edhe në zonat e mbrojtura kanë derdhur njerëzit në shesh, një gazetar i medias Lonely Planet Italia përmes një shkrimi të tij “Shqipëria, çmimi i suksesit” ngre shqetësimin për atë çfarë po ndodh në vendin e shqiponjave dhe çfarë rrezikon Shqipëria nga turizmi masiv.
Duke bërë një krahasim mes vizitës, që ai kka bërë në vendin tonë në vitin 2008, kur vendet e bukura dhe peisazhin e egër duhet ta zbuloje vetë, sepse nuk ta tregonte askush, dhe viteve të fundit kur bukurinë e peisazhit të egër dhe natyror po e zë modeli për të ngritur struktura të mëdha e luksoze, shpesh të ngjashme me njëra-tjetrën, gazetari Piero Pasini ngre shqetësimin se kjo mund të jetë fitimprurëse vetëm në terma afatshkurtër, por rrezikon të konsumojë identitetin e Shqipërisë.
Shkrimi i plotë:
Herën e parë që shkova në Shqipëri ishte në vitin 2008. Rrugët atëherë ishin ende në pjesën më të madhe të amortizuara, shpesh të paasfaltuara dhe udhëtimi kishte shijen e një aventure. Nuk kishte pothuajse asgjë komode. Mund të hyje pa kontrolle në kisha me afreske, të cilat sot vizitohen vetëm me pagesë, ndërsa Banjat Termale të Bënjës ishin një sekret i ruajtur me fanatizëm. Vendet më magjepsëse nuk i ofroheshin menjëherë vizitorit: duhej t’i kërkoje vetë. Shqipëria nuk ishte një parajsë e humbur. Ishte një vend më i varfër, më i brishtë dhe më i degraduar, por që dinte të të befasonte me zbulime të papritura.
Sot turizmi ka shpërthyer dhe me të ka ardhur ideja se çdo vend duhet të bëhet menjëherë i shfrytëzueshëm dhe të përdoret në maksimum. Riviera Shqiptare është rasti më i dukshëm. Segmente bregdetare që të mahnisnin me bukurinë e tyre të egër, nga Palasa në Dhërmi, nga Drimadhes e më tej në jug, kanë hyrë në një cikël komercializimi të peizazhit. Problemi nuk është rritja e numrit të udhëtarëve. Problemi është modeli i zgjedhur për t’i pritur ata: struktura gjithnjë e më të mëdha, presion ndërtimor, shërbime jo në përpjesëtim me brishtësinë e mjedisit dhe një uniformizim në rritje i përvojës turistike.
Megjithatë, do të ishte e lehtë ta kufizonim diskutimin vetëm te deti. Edhe qytete si Berati dhe Gjirokastra janë të ekspozuara ndaj efekteve të mbingarkesës turistike. Në këto raste nuk bëhet fjalë për betonizim të hapur si në bregdet, por për një lëmim që rrezikon t’u heqë vendeve karakterin e tyre të vërtetë. Qendrat historike restaurohen dhe pastrohen, gjë që në vetvete është pozitive, por me synimin për t’i bërë më “të paraqitshme”. Duket sikur po zhvillohet një operacion kozmetik më shumë sesa një proces mbrojtjeje: hapen lokale të ngjashme me njëri-tjetrin, menutë përshtaten sipas shijeve të turistëve dhe dyqanet shesin vetëm suvenire për vizitorët. Bukuria mbetet, sigurisht, por zhduket elementi i së papriturës. Dhe një vend si Shqipëria, që gjithmonë ka tërhequr pikërisht për ashpërsinë dhe autenticitetin e tij, rrezikon të humbasë karakterin.
Këtij “grimi” mashtrues i shtohen edhe efektet e komunikimit të deformuar nga rrjetet sociale. Pamja është gjithmonë “perfekte”, e studiuar për të lënë jashtë kornizës çdo papërsosmëri. Shfaqet pishina me ujëra të kaltërta, por jo parkingu i mbushur me automjete pranë saj. Shfaqet shtëpia prej guri e ndriçuar nga dielli, por jo shumimi i dyqaneve përreth.
Nuk dua të dukem nostalgjik për një Shqipëri të vështirë vetëm sepse ishte e tillë. Por pyes veten nëse shndërrimi i vendeve që duhen mbrojtur, si Banjat Termale të Bënjës apo disa pjesë të bregdetit, në hapësira që premtojnë çdo komoditet dhe shërbim (madje jo gjithmonë në nivelin e duhur), është e vetmja mënyrë për të tërhequr udhëtarë. Në afat të shkurtër kjo zgjedhje sjell shifra. Në afat të gjatë, rrezikon të konsumojë identitetin e Shqipërisë. A do të donit të gjenit një pistë go kart-ti brenda Koloseut?





