Ashtu si çdo ditë tjetër, edhe këtë të mërkurë pritet të zhvillohet protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e 25-të radhazi të saj, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë.

Në orën 19:00, protestuesit pritet të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime. Pas tubimit, protesta vijon me marshime në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës, që zgjasin për disa orë.

Pak ditë më parë, organizatorët bënë publike kërkesat e tyre kryesore, mes të cilave përfshihen dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.