Një ngjarje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Babrru, në territorin e Komisariatit të Policisë Kamëz.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 20:25, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një subjekti të mbyllur, konkretisht një servisi celularësh. Pas të shtënave, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur ndjekjen e autorit të dyshuar. Rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, uniformat blu kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit me iniciale R. M., rreth 18 vjeç, për veprime të mëtejshme procedurale.

Nga të dhënat paraprake, nuk raportohet për persona të dëmtuar apo të lënduar.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj. Policia bën me dije se në përfundim të hetimeve do të japë një njoftim më të plotë lidhur me rastin.