Në Kuvendin e Shqipërisë u përkujtua 82-vjetori i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Me kërkesë të disa deputetëve dhe Shoqatës Patriotike “Çamëria”, në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua një aktivitet përkujtimor në nder të 82-vjetorit të gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Në prani të deputetëve të të dyja forcave politike PS dhe PD, historianëve, përfaqësuesve të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, studiuesve, artistëve dhe familjarëve të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë, ky aktivitet përcolli mesazhin e reflektimit dhe kujtesës, për një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së shqiptarëve të Çamërisë, e kjo mbetet një detyrim ndaj brezave dhe një element i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Ceremonia nisi me Himnin Kombëtar, ndërsa deputetja e PDIU-së, Mesila Doda hapi aktivitetin duke ftuar të pranishmit të mbanin një minutë heshtje në kujtim të viktimave të masakrave dhe spastrimit dhe dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre.

Në fjalën e saj, deputetja Mesila Doda theksoi se përkujtimi i 27 Qershorit në Kuvend është një detyrim institucional dhe kombëtar.

Ajo u ndal te hapat konkretë institucionalë të ndërmarrë ndër vite për çështjen çame, duke veçuar miratimin e Rezolutës për Çamërinë në Kuvendin e Shqipërisë, e cila e ngarkon shtetin shqiptar me detyrimin për ta ngritur këtë çështje në marrëdhëniet me Greqinë. Ajo theksoi gjithashtu miratimin e deklaratës që kërkon heqjen e ligjit të luftës, ngritjen e Varrezave Monumentale të Kllogjerit në nderim të viktimave të gjenocidit, krijimin e Bashkisë së Konispolit, të cilën e cilësoi një arritje me rëndësi kombëtare.

Mesila Doda vlerësoi edhe qëndrimin e kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në mbështetje të luftës çlirimtare të UÇK-së në forumet ndërkombëtare, duke e konsideruar atë pjesë të angazhimit për mbrojtjen e interesave kombëtare. Sipas saj, të gjitha këto përfaqësojnë një betejë të vazhdueshme kundër harresës dhe për ruajtjen e dinjitetit, kujtesës historike dhe të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.

Ndërsa kryetari i shoqatës patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj, theksoi përkujtimin e 82-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe rëndësinë e ruajtjes së historisë me respekt dhe përgjegjësi. Ai kërkoi që çështja çame të trajtohet seriozisht nga institucionet shqiptare dhe të mos lihet në harresë apo të ndikohet nga interesa të përkohshme. Idrizaj theksoi se bashkimi kombëtar dhe identiteti shqiptar janë bazë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të çamërisë dhe se se Çamëria mbetet pjesë e pandashme e kujtesës dhe identitetit shqiptar për brezat e ardhshëm.

Më pas u shfaq dokumentari “Nuk të harroj Çamëri”, i cili solli rrëfime autentike të të mbijetuarve të masakrave të kryera nga forcat e Napoleon Zervës. Dokumentari risolli dëshmi prekëse të njerëzve që e mbyllën jetën me shpresën se një ditë do të riktheheshin në vendlindjen e tyre.

Gjatë aktivitetit mbajtën deputeti i qarkut Vlorë Ardit Bido, përfaqësuesja e Shoqatës Patriotike “Çamëria” Alketa Ipeku, deputetja Brunilda Haxhiu, historiani Mariglen Kasmi, si dhe Enxhi Hasani nga Shoqata Patriotike “Çamëria”. Në fjalët e tyre u theksua rëndësia e mbajtjes gjallë të kujtesës historike, respektimit të së vërtetës dhe nderimit të viktimave të kësaj tragjedie.

Në pjesën artistike të aktivitetit, Lidia Dahri recitoi poezinë “Tablo Çamërie” të Ilirian Dahrit, ndërsa djemtë e ansamblit “Tirana” interprettuan vallen epike tradicionale të Osman Takës, një simbol i trashëgimisë kulturore dhe identitetit të shqiptarëve të Çamërisë.