Brazili nuk e kapërdiu dot vendimin për anulimin e golit të Vinicius në ndeshjen me Skocinë. Sipas medias braziliane që gjeti konfirmim edhe në atë spanjolle, Konfederata Braziliane e Futbollit dërgoi në FIFA një ankesë formale për atë gol të anuluar.

Dokumenti i dërguar përfshinte edhe Lionel Messin si argument për të vërtetuar së Vinicius pa të drejtë iu anulua një gol që do të ishte i treti për të në atë ndeshje dhe që do ta bashkangjiste me argjentinasin në krye të klasifikimit të golashënuesve të Botërorit. CBF në dokumentin që i dërgoi FIFA i kërkoi që sistemi VAR të jetë konsistent në të gjitha rastet kur i duhet të ndërhyjë. Për të justifikuar ankesën, qeveria e futbollit brazilian mori si shembull aksionin e golit të parë të Messit në fitoren ndaj Austrisë.

Ndryshe nga rasti i Vinicius, arbitri nuk akordoi faull për Austrinë përpara golit të argjentinasit kur Mac Allister tërhoqi nga prapa një lojtar.

Në rastin e Vinicius, për Brazilin manovra përpara golit të Vinicius, ishte tipike e lojës dhe se kontakti është minimal dhe aksioni në fjalë nuk ishte faull i qëllimshëm pasi të dy lojtarët dyluaftuan për topin me Hendry që ndeshi me pulpën e Vinicius në momentin kur tentoi të ndërpriste aksionin e tij.

‘Goli i anuluar Brazilit në ndeshjen kundër Skocisë në minutën e 21 nuk duket se pasqyron filozofinë e aplikuar gjatë gjithë kompeticionit. Vlen të theksohet se vendimi rezultoi i papritur jo vetëm për ekipin brazilian, por edhe për futbollistët skocezë, reagimet e të cilëve menjëherë treguan se nuk prisnin rishikim e as anulim të golit’-e mbyllte ankesën e saj Konfederata Braziliane e Futbollit.