Kombëtarja Shqiptare e Basketbollit të Femrave kualifikohet për në finalen e FIBA Women’s European Championship for Small Countries 2026 një turne që po zhvillohet në Pejë të Kosovës.
Vajzat kuqezi mposhtën në gjysmë finalen skuadrën kombëtare të Kosovës me rezultatin 66-62.
Pas humbjes në ndeshjen hapëse ndaj Maltës, vajzat kuqezi reaguan në mënyrën më të mirë, duke regjistruar fitoren ndaj Gjeorgjisë (98-78), që u siguroi kualifikimin në fazën eliminatore. Në gjysmëfinale, Shqipëria triumfoi ndaj Kosovës, duke prerë biletën për në finalen e turneut.
Në ndeshjen finale për titull, Shqipëria do të përballet sërish me Maltën, në një sfidë që do të vendosë ekipin kampion të edicionit 2026. Finalja do të luhet në 28 qershor në Palestrën e Sporteve ‘Karagaç’ të Pejës në Kosovë.





