Një 31-vjeçar nga Lezha është arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Black 2”, pasi u kap duke qarkulluar i armatosur me armë zjarri në zonën e rrethrrotullimit të Rinasit.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, ndërhynë pas informacioneve operative se një person lëvizte i armatosur. Pas lokalizimit të automjetit, efektivët arrestuan në flagrancë shtetasin me inicialet T. M., 31 vjeç, banues në Lezhë.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ai qarkullonte, policia gjeti në një çantë dore një armë zjarri pistoletë, së bashku me një krehër me municion luftarak.

Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj 31-vjeçarit nisi procedimi penal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.