Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i është drejtuar sot me një thirrje publike Prokurorisë së Posaçme, duke e nxitur që të dërgojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zv/kryeministres së pandehur Belinda Balluku.
Me një reagim publik, deputeti demokrat ngre pyetje-akuzë ndaj qeverisë se po pengon hetimet e drejtësisë dhe procedurën, për të shpëtuar zyrtaren e lartë socialiste nga burgosja.
Bardhi apelon ndaj SPAK që të ndjekë standarde të barabarta drejtësie dhe të mos i nënshtrohet kryeministrit Edi Rama.
“Testi është vendimtar, sepse pozita penale e ish-zëvendëskryeministres është rënduar, sipas vetë njoftimit publik të 4 qershor-it me dyshimet për dy vepra të reja penale: korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Prokuroria e Posaçme informoi se kishte zbuluar dhe kishte vënë në sekuestro vilën e fshehur të Belinda Ballukut në një nga resortet luksoze në Dhërmi, për të cilën dyshon se ishte përfituar si ryshfet dhe më pas ishte fshehur përmes kontratave fiktive”, thotë Bardhi mes të tjerash.
Deputeti hedh dyshime të forta edhe për ndërhyrje të kryeministrit:
“A ka ndërhyrë Edi Rama te drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme për të shtyrë, të paktën deri në shtator, zbatimin e ligjit dhe të të njëjtit standard në çështjen Balluku?”, pyet ai mes të tjerash.
Në fund i drejton thirrje SPAK për të ndjekur rrugën ligjore dhe penale.
“Prokuroria e Posaçme ka vetëm një mënyrë për ta kaluar testin e besueshmërisë në çështjen Balluku: të mos bëjë politikë sipas interesave të momentit të Kryeministrit, të mos bëhet pjesë e makinacioneve dhe llogarive politike, por të zbatojë ligjin. Për këtë, SPAK nuk ka më nevojë për deklarata. Ka nevojë vetëm për një akt: t’i drejtohet, pa vonesa të tjera, Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut. Çdo ditë që kalon pa iu drejtuar Kuvendit është një ditë e keqe për drejtësinë dhe për Shqipërinë”, deklaron kreu i grupit parlamentar të PD.
Deklarata e plotë e kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi:
“Që prej 4 qershorit 2026, Prokuroria e Posaçme ndodhet përballë një testi vendimtar të besueshmërisë së saj në çështjen Balluku: a do t’i drejtohet pa vonesa të tjera Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, apo do të vazhdojë të zbatojë standarde të dyfishta, duke i dhënë kohë Edi Ramës dhe Belinda Ballukut për manovra të tjera politike?
Testi është vendimtar, sepse pozita penale e ish-zëvendëskryeministres është rënduar, sipas vetë njoftimit publik të 4 qershor-it me dyshimet për dy vepra të reja penale: korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Prokuroria e Posaçme informoi se kishte zbuluar dhe kishte vënë në sekuestro vilën e fshehur të Belinda Ballukut në një nga resortet luksoze në Dhërmi, për të cilën dyshon se ishte përfituar si ryshfet dhe më pas ishte fshehur përmes kontratave fiktive.
Si për ironi, ndërtuesi që, sipas SPAK-ut, ka ndihmuar Belinda Ballukun të fshehë këtë pasuri është i njëjti që ka ndërtuar edhe vilën superluksoze të Edi Ramës në Surrel. Kjo ngre pyetje të tjera, të cilave do t’u vijë radha më vonë. Sot, le të ndalemi te korrupsioni, pastrimi i parave nga Belinda Balluku dhe standardi i dyfishtë i SPAK-ut.
Pse standard i dyfishtë?
Sepse në dhjetor, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut duke u mbështetur në një standard që sot nuk po e zbaton më: kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit.
Në dhjetor, pasi pozita penale e ish-zëvendëskryeministres u rëndua me 11 episode të reja të abuzimit me tenderat, SPAK e ashpërsoi kërkesën për masën e sigurimit, duke kaluar nga ndalimi i daljes jashtë shtetit te kërkesa për arrest. Gjashtë muaj më parë, drejtuesi i SPAK-ut e argumentoi këtë kërkesë para Kuvendit me fjalët: “Rëndimi i pozitës penale shton rrezikun dhe dikton nevojën për një masë sigurimi më të rëndë.”
Të gjithë e mbajmë mend argumentin me të cilin Edi Rama kërkoi rrëzimin e kësaj kërkese: “Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion.” Pikërisht mbi këtë argument mazhoranca refuzoi t’i jepte SPAK-ut autorizimin për arrestimin e saj.
Sot, vetë SPAK u ka thënë shqiptarëve se Belinda Balluku dyshohet edhe për korrupsion, edhe për pastrim parash. Atëherë, çfarë ka ndryshuar? Argumenti i Edi Ramës ka rënë dhe mazhoranca nuk mund të fshihet më pas tij. SPAK nuk mund të ketë një standard në dhjetor dhe një standard tjetër në qershor. Kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit.
Prandaj, Prokuroria e Posaçme u detyrohet shqiptarëve disa përgjigje.
- Pse, tani që vetë SPAK ka bërë publik rëndimin e pozitës penale të Belinda Ballukut me dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, nuk i drejtohet Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj?
- Kush po e pengon Prokurorinë e Posaçme të zbatojë ligjin, kur ligji dikton se, me rëndimin e pozitës penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit, pikërisht standardi që vetë SPAK vendosi në dhjetor?
- A ka ndërhyrë Edi Rama te drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme për të shtyrë, të paktën deri në shtator, zbatimin e ligjit dhe të të njëjtit standard në çështjen Balluku?
Standardet e dyfishta në sjelljen e Prokurorisë nuk e rrisin besimin te drejtësia, por e rrënojnë atë. Përpara ligjit duhet të jemi të gjithë njësoj. Ligji duhet të ketë të njëjtin efekt në çdo kohë. Është e papranueshme që ligji të sjellë një reagim të Prokurorisë në dhjetor 2025 dhe një reagim tjetër në qershor 2026. Ligji është i njëjti si në dhjetor 2025, ashtu edhe në qershor 2026, ndërsa sjellja e Prokurorisë së Posaçme jo. Ajo po ndryshon në varësi të humorit të Kryeministrit dhe kjo nuk është drejtësi, por trajtim politik dhe preferencial.
Prokuroria e Posaçme ka vetëm një mënyrë për ta kaluar testin e besueshmërisë në çështjen Balluku: të mos bëjë politikë sipas interesave të momentit të Kryeministrit, të mos bëhet pjesë e makinacioneve dhe llogarive politike, por të zbatojë ligjin.
Për këtë, SPAK nuk ka më nevojë për deklarata. Ka nevojë vetëm për një akt: t’i drejtohet, pa vonesa të tjera, Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.
Çdo ditë që kalon pa iu drejtuar Kuvendit është një ditë e keqe për drejtësinë dhe për Shqipërinë”.





