Një emigrant që jetonte në Birmingham u arrestua nga policia pasi dyshohet se braktisi dy fëmijët e tij të vegjël për të takuar një vajzë që e kishte ngacmuar në internet.

32-vjeçari i identifikuar si Ardjan, është arrestuar nga Policia e West Midlands pas një operacioni të koduar të ngritur nga grupet që gjurmojnë grabitqarët online.

Sipas të dhënave, 32-vjeçari akuzohet se ka lënë të vetëm në një apartament, i cili përshkruhet si tejet i ndotur, dy fëmijët e tij të mitur, përkatësisht të moshave një dhe gjashtë vjeç. Arsyeja e largimit të tij nga shtëpia ka qenë udhëtimi për të takuar një vajzë të mitur (e përshkruar si 14-vjeçare), me të cilën kishte komunikuar në rrjetet sociale.

Mbi të rëndojnë akuza të rënda, ku përfshihen: Organizimi i aktiviteteve seksuale (përfshirë tentativën për një marrëdhënie treshe).

Në pamjet e publikuara nga momenti i arrestimit, i dyshuari shfaqet dukshëm i zemëruar dhe agresiv ndërsa oficerët e policisë po bënin prangosjen e tij, duke iu kërkuar edhe kalimtarëve të rastit të mbanin distancë.

Ky rast ka ndezur debate të ashpra në rrjetet sociale dhe mediat lokale. Komentuesit e kanë cilësuar ngjarjen si një shembull ekstrem të neglizhencës prindërore të kombinuar me fenomenin shqetësues të ngacmimeve seksuale në internet (grooming).

Ky incident ka ri hapur diskutimet e rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar lidhur me shfrytëzimin e fëmijëve online, sigurinë kibernetike dhe përgjegjësinë familjare. Po ashtu, rasti ka nxitur debate edhe mbi çështjet e integrimit të emigrantëve, pasi operacionet e fundit të policisë britanike kanë treguar një numër të konsiderueshëm personash të lindur jashtë vendit që bien në rrjetat e ngritura ndaj grabitqarëve seksualë online.