Dy oficerë policie kanë ndërruar jetë në burgun 313, njëri pas tjetrit.

Mësohet se kanë ndërruar jetë, 62-vjeçari Zog Muhametaj dhe Pëllumb Vrana, ky i fundit teknik i kamerave të paraburgimit.

Mësohet se kanë humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak.

Rreth orës 21.36 të mbrëmjes kur po ndërrohej turni, Zog Muhametaj ka qenë duke bërë instruktazhin e stafit që do merrte shërbimin dhe nga pyetja e dëshmitarëve atij i ka rënë të fikët. Është thirrur mjekja dhe infermierja e IEVP për 3 minuta dhe ka konstatuar që ka qenë pa puls, pra pa shenja jete. Menjëherë është dërguar urgjent me autoambulancë për në Spitalin Ushtarak duke e shoqëruar edhe infermierja e burgut.

Atje është tentuar për ta kthyer në jetë por fatkeqësisht nuk është bërë e mundur, ndërkohë janë dokumentuar me anë të kamerave të gjitha veprimet e stafit në IEVP.

Pas kësaj, kur po kryheshin veprimet hetimore, Pëllumb Vrana, me detyrë teknik i kamerave, 62 vjeç, banues në Tiranë, në orën 00:00 gjendej në zyrën e Drejtorit të institucionit dhe po këqyrte kamerat bashkë me Drejtorin e Policisë, Shefin e Sektorit të SHKB dhe Shefin e Sektorit të Kamerave në Drejtorinë e Policisë.

Kanë qenë duke shikuar kamerat në zyrë kur Pëllumb Vranës i ka rënë të fikët, i është dhënë menjëherë ndihma nga të pranishmit dhe infermierja e institucionit. Pasi i ka ardhur pulsi, është dërguar menjëherë me ambulancën e institucionit te Urgjenca e QSUT dhe aty, rreth orës 01:00, ka humbur jetën.