Gjykata e Korçës ka lënë në burg Nikolla Agollin dhe David Priftin pas plagosjes me armë zjarri të Brian Syzos në Pogradec.Seanca gjyqësore për 24-vjeçarin dhe shokun e tij zgjati 2 orë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim, në bashkëpunim”, mbetur në tentativë, si dhe armë pa leje.
Ngjarja ndodhi mesditen e së hënës, në zonën e Fortesave, në hyrje të Pogradecit. Brian Syzo, një person me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe i liruar së fundmi nga burgu, kishte parkuar makinen në rrugë dhe qëndronte në pritje të një shoku.
Sapo ai ka mbërritur, është afruar një tjetër fuoristradë “Jeep” me xhama të zinj me targa amerikane, ku udhëtonin Nikolla Agolli, vëllai i tij Edison Agolli, David Prifti dhe Meardi Berberi.
Fillimisht kanë thyer xhamin e automjetit të shokut. Sapo 35-vjeçari, Syzo ka dalë nga makina e tij, Nikolla Agolli dyshohet se ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur me dy plumba në këmbë.
Dyshohet se shkak i këtij atentati të jetë bërë ngjarja e tetorit te vitit te shkuar, ku vëllai i Brianit, Sindi Syzo plagosi me thikë Nikolla Agollin.





