Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar katër punonjës të Policisë së Shtetit, pasi dyshohen për “shpërdorim detyre”, në lidhje me largimin e Hasan Ferracakut nga banesa ku mbahej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas AMP-së, menjëherë pas marrjes së informacionit se Ferracaku nuk ndodhej në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje, specialistët e Drejtorisë Rajonale Shkodër-Lezhë kryen veprimet hetimore dhe procedurale, në përfundim të të cilave u arrestuan në flagrancë:

  • Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
  • Inspektor Gentian Xhanari;
  • Inspektor Dioniz Hotaj;
  • Punonjësi Ridvan Zefi,

të gjithë me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër.

Katër efektivët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndërkohë, AMP bën me dije se Hasan Ferracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar nga gjykata.

Hasan Ferracaku është një prej të dyshuarve si pjesëmarrës në masakrën e ndodhur në Velipojë pesë vite më parë, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Në reagimin e saj, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve te institucionet e sigurisë.