Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ishte mesditen e sotme në Gjykatën Administrative, për seancën e radhës për padinë ndaj prokurorit, Ols Dado.
Në seancë mungoi avokati i kryebashkiakut të Tiranës, për shkak se djali i tij ishte sëmurë, siç u shpreh Veliaj. Për këtë arsye, ai kërkoi shtyrje të seancës.
“Më duhet ndihmë juridike, pa ndihmën dhe asistencën e avokatit nuk mund të vazhdoj seancën dhe të shkuara djalit të avokatit”, u shpreh Veliaj para togave të zeza.
Duke iu referuar vendimit më të fundit Kushtetueses, se ka pasur probleme në arsyetimin e Gjykatës së Lartë për mbajtjen e tij në paraburgim, Veliaj kërkoi që ky vendim të merret parasysh në procesin gjyqësor në vazhdim.
“I nderuar trup gjykues,
Dje u zbardh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin tim si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe nuk kishte trajtuar në mënyrën e duhur pretendimet për cenimin e dinjitetit tim nga mbajtja në kabinën e xhamit. Për më tepër, një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka arritur në përfundimin se, bazuar në provat e administruara, nuk rezulton të jetë arritur as standardi kushtetues i dyshimit të arsyeshëm se kam kryer vepër penale.
Këto nuk janë pasoja abstrakte. Unë ndodhem prej 16 muajsh në paraburgim dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është justifikuar kufizimi i lirisë sime.
Pikërisht për këtë arsye, ky gjykim administrativ ka një rëndësi që shkon shumë përtej personit tim apo personit të z. Olsi Dado. Ky nuk është një proces për emra të përveçëm. Ky është një proces për të përcaktuar nëse një person, ligjshmëria e emërimit të të cilit vihet seriozisht në diskutim, mund të ushtrojë kompetenca që ndërhyjnë deri në kufizimin e lirisë së një qytetari, në cenimin e dinjitetit të tij dhe në pamundësimin e ushtrimit të një mandati të fituar drejtpërdrejt nga vullneti demokratik i qytetarëve të Tiranës. Në thelb, kjo çështje prek vetë besimin te shteti i së drejtës dhe te demokracia kushtetuese.
Për këtë arsye, po e vë në dispozicion të Gjykatës vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, si një zhvillim me rëndësi të drejtpërdrejtë për këtë proces“, u shpreh ai.
Seanca e radhës do të mbahet më 24 korrik, ora 09:00.
Kujtojmë se Dado po heton çështjen penale ndaj Veliajt. Ky i fundit kërkon shfuqizimin e dekretit të presidentit që e ka emëruar prokurorin në detyrë në vitin 2008, me argumentin se prokurori ka marrë statusin e magjistratit pa plotësuar kushtet ligjore që parashikoheshin në atë kohë.





