Mijëra qytetarë kanë nisur marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, në protestën e 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës, e cila pritet të jetë një nga tubimet më të mëdha të zhvilluara deri më tani.
“Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion”, “Lironi çunat”, “Shqipëri e re” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, janë thirrjet kryesore që kanë bashkuar qytetarë nga e gjithë Shqipëria, por edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar revoltës.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë, lirimin e të arrestuarve gjatë përplasjeve me policinë në protestën e së enjtes, si dhe ndryshim të sistemit politik.
Në tubimin e sotëm është bashkuar edhe diaspora shqiptare. Kjo është hera e tretë që shqiptarët e ardhur nga vende të ndryshme të botës marrin pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë, duke iu bashkuar marshimit drejt Kryeministrisë.





