Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar ndërhyrjen në afërsi të guroreve Volloder, për ndërtimin e bypass-it të Sarandës.

Sot do të kryhet një shpërthim i kontrolluar me eksplozivë, në funksion të hapjes së trasesë së rrugës.

“Më 06.07.2026, duke filluar nga ora 09:00 deri në orën 10:00, në kuadër të punimeve për ndërtimin e Bypass-it të Sarandës, pranë fshatit Shën Vasil (në afërsi të guroreve Volloder), do të kryhet një shpërthim i kontrolluar me sasi të vogla eksplozivi, në funksion të hapjes së trasesë së rrugës.

Procesi i punës është koordinuar me strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat do të marrin masat e nevojshme për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit gjatë zhvillimit të punimeve.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve deri në përfundimin e plotë të këtij procesi pune“, njofton ARRSH.