Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar nga Policia Federale gjermane në aeroportin e Frankfurtit, i dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që akuzohet për një skemë mashtrimi me vlerë dhjetëra milionë euro.
Sipas mediave gjermane, i riu u ndalua të shtunën menjëherë pasi mbërriti me një fluturim nga Dubai, ndërsa arrestimi u krye direkt në avion. Hetimet tregojnë se organizata u premtonte investitorëve fitime përmes investimeve në asete të ndryshme, por fondet e tyre nuk investoheshin kurrë.
Në vend të kësaj, paratë përvetësoheshin nga rrjeti kriminal, duke shkaktuar humbje që arrijnë në dhjetëra milionë euro vetëm në Gjermani. Numri i plotë i viktimave ende nuk është përcaktuar. 29-vjeçari kërkohej me urdhër arresti nga Prokuroria e Përgjithshme e Dresdenit dhe autoritetet shqiptare, nën dyshimet për mashtrim në shkallë të gjerë.
Pas arrestimit, ai u paraqit para një gjyqtari, i cili vendosi masën e arrestit. Sipas autoriteteve, në Shqipëri ai mund të përballet me një dënim deri në 15 vite burg.





