Ka nisur sot më 7 korrik në GJKOO seanca gjyqësore në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku ky i fundit nuk është i pranishëm në seancë. Kjo, pasi ka refuzuar të qëndrojë në kafazin e xhamtë. I pranishëm në sallë është Valmir Xoxa, një nga të dyshuarit në këtë proces.

Më herët, gjykata i ka refuzuar Veliajt këkesën për transmetim live të seancës gjyqësore. Po ashtu, është rrëzuar edhe kërkesa për të mos qenë në kafazin e xhamtë.

Prokurori i çështjes Ols Dado ka argumentuar se qëndrimi në kafaz nuk përbën trajtim poshtërues. Sipas tij, qëndrimi në të është një masë e domosdoshme për të garantuar një proces të sigurt.

Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

Personat e tjerë të akuzuar përfshijnë biznesmenë të ndryshëm, të cilët sipas prokurorisë kanë kryer korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe fshehje dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.