Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka kërkuar që gjykatësi Astrit Kalaja, që u vra në krye të detyrës në sallën e gjyqit në tetor të vitit 2025, të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Në një deklaratë, duke përshëndetur vendimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës që i dha gjyqtarit të ndjerë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, Shoqata ka kërkuar që ky vendim të njihet dhe përshpejtohet edhe nga institucionet e tjera.
Sipas gjyqtarëve, njohja e Kalasë si “Dëshmor i Atdheut” është një trajtim i denjë dhe ligjor për një shtetar të vrarë në krye të detyrës.
“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon dhe inkurajon edhe institucionet e tjera kompetente që të përmbyllin në një kohë sa më të shpejtë procesin e njohjes dhe dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Z. Astrit Kalaja, me bindjen se ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetar që vritet në krye të detyrës.”, thuhet në deklaratën e Shoqatës.
Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u vra më 6 tetor 2025 në sallën e gjyqit. Autori Elvis Shkambi qëlloi për vdekje gjyqtarin me armë zjarri gjatë gjyqit lidhur me një konflikt pronësie që përfshinte familjen e tij.
DEKLARATA E PLOTE:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me interes vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër për dhënien e statusit të “Dëshmorit të Atdheut” gjyqtarit, Z. Astrit Kalaja, i cili u vra më datë 6 tetor 2025, në krye të detyrës.
Kjo ka qenë një nga kërkesat e paekuivokta dhe unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më datë 9 tetor 2025 dhe se për rrjedhojë vendimmarrja e Këshillit të Qarkut Shkodër mirëpritet dhe përshëndetet nga Shoqata si një hap i rëndësishëm në finalizimin e procesit administrativ të njohjes dhe dhënies së këtij statusi.
Gjithashtu Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon dhe inkurajon edhe institucionet e tjera kompetente që të përmbyllin në një kohë sa më të shpejtë procesin e njohjes dhe dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Z. Astrit Kalaja, me bindjen se ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetar që vritet në krye të detyrës.





