Eksperti i sigurisë nga SHBA, Adrian Shtuni, ka analizuar konfirmimin e sotëm që dha Mark Rutte gjatë një konference për samitin e ardhshëm të NATO-s në Tiranë. Ai e cilëson si një vlerësim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rolin e saj brenda NATO-s.

Sipas Shtunit, organizimi i samitit nuk duhet parë si një rotacion i zakonshëm apo si meritë e një qeverie të caktuar, por si rezultat i punës së vazhdueshme të institucioneve shqiptare.

“Për mua është vlerësim për kontributin e Shqipërisë, gjë që duhet të divorcohet nga roli i një kryeministri apo një tjetri. Sa herë që flitet për rolin e Shqipërisë, direkt shikohet sikur je duke folur për kryeministrin, për X-in apo për Y-in. Shqipëria ka hyrë në NATO në vitin 2009, nuk ka hyrë rishtazi kohët e fundit. Është një punë e vazhdueshme që kanë bërë të gjitha institucionet shqiptare. Kështu që duhet të jemi të qartë: kur krenohemi me Shqipërinë, nuk krenohemi me një person, krenohemi me arritjet e Shqipërisë. Dhe duhet të jemi të qartë që Shqipëria ka bërë arritje goxha të mira, pozitive, të cilat sa duket po shpërblehen me këtë samit”, tha Shtuni.

Ai theksoi se ky është një sukses diplomatik i Shqipërisë, duke shtuar se disa vende të rajonit, të cilat janë bërë pjesë e aleancës shumë më herët, nuk kanë pasur ende mundësinë të organizojnë një samit të NATO-s.

“Rotacioni është shumë i vërtetë, vende të ndryshme marrin përsipër të organizojnë samite dhe samiti lëviz nga një vend në vendin tjetër. Por le të shikojmë vendet e tjera në Ballkan që kanë qenë anëtare të NATO-s para se të ishte Shqipëria. Greqia ka qenë anëtare e NATO-s që në vitet ’50, në ’52-shin ose ’53-shin, dhe nuk ka mbajtur ndonjë samit, pavarësisht rolit apo rregullës së rotacionit. As Bullgaria nuk ka mbajtur, as Sllovenia, dhe këta kanë hyrë më përpara se Shqipëria, në vitin 2004”.

Më tej, Shtuni tha se vendimi për t’ia besuar Shqipërisë organizimin e samitit tregon se vendi ka ditur të forcojë pozitën e tij brenda aleancës.

“Shqipëria ka ditur të luajë brenda organizatës së NATO-s edhe lojën diplomatike për të tërhequr vëmendjen drejt vetes, për t’i bërë gjërat në mënyrën e duhur dhe për të marrë këtë lloj roli prestigjioz në organizimin e një samiti mjaft të rëndësishëm të organizatës më të madhe ushtarake në botë, të fokusuar tek mbrojtja. Por ka pasur mëdyshje kohët e fundit nëse do të mbahej apo s’do të mbahej samiti në Shqipëri, dhe madje në draft nuk ishte përmendur emri i Shqipërisë si mikpritësja e ardhshme e samitit për shkak të shpenzimeve të limituara të mbrojtjes. Diçka ndodhi e ndryshoi kohët e fundit, dhe sa duket Shqipëria do të harxhojë diku te 2.5% apo 2.6% të GDP-së”, tha eksperti.