Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë publik një shqetësim serioz lidhur me një veprimtari të dyshuar dhe të koordinuar në hapësirën kibernetike.

Gjatë ditëve të fundit, strukturat e luftës kundër krimeve kibernetike kanë evidentuar një aktivitet të sinkronizuar që konsiston në publikimin masiv të komenteve dhe vlerësimeve (reviews) negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe resorteve në Shqipëri.

“Sot jam para jush, për të bërë publik një shqetësim serioz, i cili lidhet me një veprimtari të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike. Kjo veprimtari, nëse konfirmohet nga hetimet, rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese të caktuara, por dhe sektorin e turizmit dhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës.

Gjatë ditëve të fundit, strukturat tona të luftës kundër krimeve kibernetike kanë evidentuar një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, i cili konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve (reviews) dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit në Shqipëri.

Nga veprimet e para verifikuese, administrimi i kallëzimeve dhe analiza e të dhënave të siguruara deri në këtë fazë, rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat ndërkombëtare të vlerësimit të hoteleve, restoranteve, resorteve dhe destinacioneve turistike.”

Nga analizat fillestare janë identifikuar mbi 10,000 llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat po përdoren për të krijuar një perceptim të rremë online. Sipas kryepolicit Hita, ky sulm artificial rrezikon të dëmtojë rëndë jo vetëm reputacionin e bizneseve të caktuara, por edhe sektorin e turizmit dhe imazhin e Shqipërisë në tërësi.

“Brenda një periudhe të shkurtër kohore, këto llogari dyshohet se kanë publikuar në masë, komente dhe vlerësime negative, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare.

Nga analiza fillestare rezultojnë mbi 10 000 llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat janë aktualisht objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.”

Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka nisur një hetim me intensitet të lartë për identifikimin e autorëve dhe gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur. Në këtë proces po bashkëpunohet ngushtë me platformat ndërkombëtare online dhe partnerët e huaj për sigurimin e provave dixhitale.

“Në këtë kuadër, kam urdhëruar strukturat e specializuara, veçanërisht ato të Hetimit të Krimit Kibernetik, që të vijojnë me intensitet të lartë veprimet procedurale për identifikimin e autorëve dhe personave që qendrojnë pas kësaj veprimtarie, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve ndërmjet llogarive, evidentimin e mënyrës së organizimit, sigurimin dhe administrimin e provave dixhitale, si dhe bashkëpunimin me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë në përputhje me legjislacionin në fuqi.”